Si Rembo jam vasal i muzës
Robërim i pranuar me dëshirë
Ajo me vështrimin e meduzës
Më ka magjepsur dhe mpirë

Mahnitur jam prej antiheronjve
Dhe nga banoret e trotuareve
Nga qeniet vargojthyese
Dhe nga urtia e të marrëve

Përçmoj lavdet dhe postet
Për to aspak nuk dua t’ja di
Olimpet e trishta të pushtetit
Për mua janë fatkeqësi

Gjithçka shkruaj mbase është e kotë
Por kjo marrëzi më magjeps
Pa shikimin e muzës a meduzës
Nuk rroj dot në këtë polis pervers