Ridvan Dibra: “Stina e ujkut” (roman), botoi “Rezna”, Tetovë, 2018

Nga Ahmet Selmani

  1. a) Fenomenologjia e temës

Kur e lexojmë romanin me titull “Stina e ujkut” të autorit Ridvan Dibra, gjëja e parë që e tërheq vëmendjen tonë është pikërisht tematika e tij e cila shpërfaqet si një fenomenologji e veçantë me përmasa të gjera referenciale. Para së gjithash ajo është arketipale dhe filozofike, ezopike dhe reale, përrallore dhe letrare etj. Njëra nga thëniet e famshme të Borhesit se unë nuk i zgjedh temat, por ato më zgjedhin mua, në njëfarë mënyre mund të vërtetohet edhe në rastin e këtij autori, tek i cili vjen pothuajse vetvetiu duke u imponuar si një brumë i natyrshëm në qenien krijuese të tij. Kjo do të thotë se tematika e këtillë nuk është e panjohur për traditën dhe kulturën në përgjithësi, por që në këtë rast nxit edhe intuitën dhe imagjinatën e autorit në fjalë, ose që vjen si një urdhër i brendshëm për ta ritrajtuar e ridimensionuar me një semantikë të re artistike.

Në të vërtetë, marrëdhënia e njeriut dhe ujkut si paradoks i moçëm ekzistencial i ka rrënjët shumë thellë nëpër kohë dhe hapësirë. Mbase kjo fare lehtë na shpie edhe në rrafshin e traditës sonë si një temë me prejardhje totemike, bie fjala në rrafshin toponimik siç është Ulqini (Ulkinium), në atë legjendar siç është ujku nën mbrojtjen e Shën Martinit, në atë bestytnor siç është dhëmbi i ujkut që u varej në qafë fëmijëve dhe kuajve për t’i mbrojtur nga syri i keq, në atë heraldik siç është simboli i ujkut në stemën e Balshajve, në atë antroponimik siç është emri Ukë, ose në atë patronimik siç është mbiemri Ujkani etj. Të gjitha këto paranteza që e shpjegojnë mozaikun tematik paraqesin një lloj baze të fuqishme gnoseologjike dhe empirike e cila reflektohet apo perceptohet në kontekste të ndryshme metaforike.

Prandaj duke u nisur paraprakisht nga kjo referencë e gjerë tematike, mund të thuhet se Ridvan Dibra shfaqet me një spontanitet të mahnitshëm krijues, për ta ridëshmuar në mënyrë artistike një çështje ontologjike e psikologjike. Me anë të rrëfimit të tij arrin ta ndërtojë rrafshin e veprimit ekzistencial ku njeriu dhe ujku mund të shihen se kanë një simbiozë sa paradoksale, aq edhe të natyrshme, ashtu sikundër na e sjell si një fenomenologji reale edhe At Zef Pllumi në librin e tij “Rrno për me tregue”.

Në romanin e këtij autori, njeriu ik nga qenia e vet biologjike dhe strehohet në shpellë te ujku, mu përballë antipodit të tij, pra nga një specie urbane rikthehet në një specie neandertale, ose nga një homo urbanus shndërrohet në një homo antrum.

Kështu na bëhet e qartë se edhe fenomenologjia tematike në brendinë e romanit “Stina e ujkut” transformohet në një fenomenologji narrative, duke na u shfaqur në formë të episodeve me ngjarje sa intriguese, aq edhe tronditëse, të cilat shpalosen plot me ndjeshmëri shpirtërore nëpërmjet dialogut tejet të thukët e kuptimplotë.

Struktura e romanit me ndërthurje tipike postmoderne krijon edhe dinamikën e veçantë në suaza të së cilës rrjedhin gjërat me një dhunti të gjallë. Si të tilla ato vazhdimisht na shpiejnë nëpër zona reale dhe mitike njëkohësisht. Sipas Fukosë, ato paraqesin një heterotopi, ku shpërfaqen hapësira asociative me elemente evokuese për realitetin tonë historik e aktual. Pra vepra në fjalë vetvetiu na fut në një udhëtim pamor për ta identifikuar realitetin me të gjitha kundërthëniet e tij që i bart njeriu i shpallur si qenie e arsyeshme, por që kurrë nuk arriti të konsolidohet në këtë pikëpamje.

  1. b) Dialogu determinues

Romani “Stina e ujkut” fillon me një rrëfim tejet të drejtpërdrejtë e befasues: “Njeriu, në një dimër të pashembullt, për shkaqe që nuk i kishte aspak të qarta dhe që kurrë s’i mori vesh, u përbuz, u sha dhe u përndoq nga njerëzit; çka e detyroi ta braktiste qytetin dhe gjithçka të dashur që kishte aty, dhe të strehohej në një shpellë të fshehur diku maje malit, duke harruar se vende të tilla të vetmuara ishin strofulla ideale për ujqit” (fq. 9). Pa dyshim këtu gjendet pikënisja e rrëfimit të mëtejmë që na çon në sfera të njohura dhe panjohura, në botën e brendshme e të jashtme të dy personazheve siç janë njeriu dhe ujku.

Për sa i përket kësaj, sado që ne a priori mund edhe të paragjykojmë me anë të ndonjë perceptimi të mundshëm real, në fakt ky takim nuk ka të bëjë fare me atë të gjahtarit dhe bishës si dy armiq të përjetshëm, siç ndodh me ujkun e përrallave të Andersenit, por kryekëput me një takim atipik që ngjan si një lloj habie filozofike. Mbase pikërisht këtu fillon autopsia psikologjike e njërit dhe tjetrit personazh, depërtimi vertikal në qenien e tyre. Sipas Zhak Derridasë, ky do të ishte një dekonstruksion i mitit; domethënë njeriu nuk është ai që mendojmë ne, por as ujku nuk është ai që e njohim nga rrëfimet e ndryshme. Thjesht këtu ndodh një vetërrëfim me tendenca të qarta determinuese, ose një zhvendosje qenësore e dy personazheve; vihet në spikamë shpirti dhe mendësia.

Kështu njeriu i cilësuar si homo sapiens nga ana e botanistit, fizikanit dhe zoologut suedez Carolus Linaeus më 1758, tani e shohim duke e braktisur botën e vet dhe duke u futur në një shpellë si zoon politikoni i Aristotelit. Kjo zhvendosje krejt e parëndomtë nga qyteti në shpellë, ose nga njeriu te bisha, gjithsesi nënkupton abstragimin e vetvetes, distancimin biologjik, ekzistencial dhe qytetërues.

Në bazë të kësaj edhe rrëfimi fabulativo-alegorik na udhëzon drejt një konstatimi thelbësor ku zhduket kufiri në mes njeriut dhe ujkut, duke u relativizuar tërësisht në rrafshin e përfytyrimit tonë. Dhe kështu paradoksi qëndron në faktin se njeriu nuk ka mundur të jetojë me qenien e vet dhe e ka braktisur, por nga ana tjetër çuditërisht mund të bashkëjetojë me ujkun në shpellë. Sigurisht ky është një paradoks filozofik të cilin e hasim edhe në mitin e Remit dhe Romulit për të cilët kujdeset ujkonja, edhe te thënia e famshme Homo hominis lupus est, të cilën së pari e përdori Plauti në vitin 495 në një komedi të tij, por që më vonë e popullarizoi edhe filozofi i njohur Thomas Hobsi.

Në këtë kontekst Ridvan Dibra vetëm e ridimensionon këtë çështje në formë letrare përmes një kompozicioni të pazakontë dhe një narracioni alegorik përplot me pohime dhe mohime, derisa arrin që ta bëjë identifikimin zoomorfik të njeriut dhe identifikimin antropomorfik të ujkut.

Thënë edhe më thjesht, nuk është qyteti ai që e bën njeriun si qenie humane, dhe as shpella ajo që e bën ujkun si qenie shtazarake. Idenë e dyzimit të njeriut dhe ujkut, të cilën e kemi hasur edhe te romani “Ujku i stepës” i Herman Hesesë, ose pak a shumë edhe te romani “Dhëmbi i bardhë” i Xhek Londonit, në veprën e Ridvan Dibrës rishfaqet në mënyrë shumë vetanake, me një konceptualiutet të ri, me një ndjeshmëri të thellë autoktonte, me një forcë asociative e cila na mba si të ngujuar në kohë dhe hapësirë të caktuar.

Sigurisht e gjithë kjo zhvendosje mund të shihet në dialogun fiktiv që zhvillohet në mes njeriut dhe ujkut kur njëri i drejtohet tjetrit me këto fjalë:

“Njeriu është diçka më shumë se vetja.

“Domethënë ka edhe bishën brenda vetes?”

“Pikërisht”.

“Atëherë pse edhe bisha të mos jetë diçka më shumë se vetja”

“Domethënë të ketë edhe njeriun brenda vetes?” (fq. 21-22)

Pikërisht kjo frymë e rrënon mitin e armiqësisë së këtyre dy figurave duke i përshkuar tejendanë me sitën e arsyes së shëndoshë. Sado që njeriu e ka pushkën me vete, prapëseprapë nuk e vret ujkun. Nga ana tjetër, po ashtu, edhe ujku, sado që e ka instinktin e bishës, nuk e sulmon njeriun. Që të dy personazhet me botë diametralisht të kundërta i shndërron në specie rationalis, të cilat e përdorin arsyen për ta tejkaluar armiqësinë e ngritur në mit shekullor. Në fakt metafora e shpellës së Platonit, këtu na rishfaqet si një motërzim i ri kryekëput në suaza të parametrave artistik.

  1. c) Rikonstruksioni mitik

Ajo që mund të vërehet në strukturën kompozicionale të romanit “Stina e ujkut”, është fakti se asgjë nuk zhvillohet në mënyrë lineare përgjatë rrjedhës narrative. Dhe kjo dëshmon për aventurën e zhanrit ku rrënohet forma klasike e romanit dhe ndërtohet një formë e re eksperimentuese.

Në qoftë se në pjesën e parë narracioni zhvillohet si një dekonstruksion mitik i njeriut dhe ujkut, në pjesën e dytë ndodh krejtësisht e kundërta, pra sërish ndodh një ecuri me tendenca të rikonstruksionit mitik. Në të vërtetë, determinimi real i qenies së personazheve, së këndejmi shndërrohet në një rideterminim mitik. Dhe rrjedhimisht, pjesa e parë (Pranimi) është pika fillestare e shfaqjes mitike (njeriu dhe ujku si dy kundërshtarë tradicional) ku fillon edhe rrënimi gradual, zhveshja e aureolës përrallore për këto dy krijesa, shmangia e paragjykimeve të ngulitura. Në pjesën e dytë (Bashkëjetesa) rrëfimi na përqëndron drejt thelbit të realitetit, ku njeriu dhe ujku mund të qëndrojnë edhe bashkë, pa e vrarë apo shqyer njëri-tjetrin, mund ta ndajnë në mënyrë të barabartë edhe ushqimin, të flenë pranë njëri-tjetrit të qetë, të shohin edhe ëndrra, të flasin për jetën, vdekjen, urinë, frikën, krenarinë, vetminë etj., sado që zjarri qëndron midis tyre si një kufi fatal. Ndërkaq në pjesën e tretë (Përrallat) përsëri rrëfimi mëton të bëhet mitik, kalon në rrafshin tjetër imagjinar, ku tani si lëndë e tij bëhen përrallat e njeriut dhe të ujkut, si trashëgimi empirike, ku secili flet sipas kujtesës dhe dhuntisë së vet. Në të vërtetë, këtu kemi të bëjmë me një emërues të përbashkët i cili në rrafshin nëntekstual na sugjeron një semantikë të thellë ekzistenciale.

Kështu kuptimi i mitit përqëndrohet kryekëput në rrafshin perceptues si një empati e thellë shpirtërore për ta ndjerë besimin dhe arsyen, por edhe për t’u mbështetur fuqimisht në situata të ndryshme jetësore. Çdo shamngie nga forca e arsyes shpie në tjetërsimin rrënjësor të qenies. Prandaj mbyllja e romanit na e përkujton se sa i rrëshqitshëm është kufiri në mes njeriut dhe ujkut, ose në mes arsyes dhe forcës. Sado që gjatë rrjedhës së romanit e shohim si afrohet dhe bashkëjeton njeriu me ujkun, kjo edhe mund të rrënohet fare lehtë me veprime të kundërta.

Prandaj autori e mbyll romanin e tij në këtë mënyrë: “Njeriu, në një verë të pashembullt, për shkaqe që nuk i kishte aspak të qarta dhe që kurrë s’i mori vesh, mbeti pa mikun e tij – ujkun, çka e detyroi ta braktiste shpellën me gjithçka të dashur që kishte aty, dhe të strehohej në një qytet të ngritur diku rrëzë malit, duke harruar se vende të tilla të populluara ishin strofuj idealë për njerëzit” (fq. 151).

Pra kjo është sprova e pragmatizmit ekzistencial e jetësor që kalon nga njëra gjendje në tjetrën, duke na e bërë me dije se ekzistenca ontologjike është një lloj riciklimi fatal. Ndaj zgjedhja vendimtare është në duart tona; do të luftojmë me arsye apo me instinkte shtazarake.

Duke u mbështetur në këto konstatime mund të themi se romani “Stina e ujkut” i Ridvan Dibrës është një vepër me shtresa e nënshtresa të gjera rrëfimore e perceptuese, të cilat vetvetiu na shkrepin nga vetëdija dhe mishërohen si një koncept apo vizion filozofik dhe artistik. Metafora e bashkëjetesës së njeriut me ujkun është sprova dhe sfida e homo sapiensit në secilën kohë, prandaj edhe në kohën tonë të trazuar.