Një projekt në mes të Kosovës dhe Serbisë synon të promovojë shkrimtarët e të dyja vendeve por edhe të hapë debat mbi artin dhe kulturën, dy fusha që nuk njohin kufinj.

IN THE NEIGHBOURHOOD – është takim dy ditor mes shkrimtarëve dhe kolumnistëve nga Kosova e Serbia, që do të mbahet në Beograd.

Organizuar nga Asociacioni Krokodil – Engaging Words dhe Belgrade Fund for Political Excellence, në këtë program nga Kosova do të marrin pjesë Jeton Neziraj, Arbër Selmani, Shpëtim Selmani, Rina Krasniqi, Azem Deliu, Gjergj Filipaj, Rrona Jaka, Fjolla Hoxha, Lura Limani dhe Genc Kadriu.

Gjatë dy ditëve të takimit, shkrimtarët dhe kolumnistët nga Kosova dhe të tjerët nga Serbia do të lexojnë pjesë nga krijimtaria e tyre letrare por edhe do të marrin pjesë në diskutime të ndryshme, mbi letërsinë bashkëkohore në Kosovë e Serbi, mbi atë se si këto dy letërsi konceptohen nga njëra tjetra dhe se si duhet përmirësuar raportimi, përfshirë edhe ai kulturor, në mes të të dyja shteteve.

Tanja Šljivar, Marjan Čakarević, Jasna Dimitrijević, Marija Pavlović dhe shkrimtarë e emra të tjerë nga Serbia do të marrin pjesë në këtë takim që do të mbahet në Qendrën për Letërsi Bashkëkohore – KROKODIL në kryeqytetin serb.