Qeveria e Shqipërisë synon që të themelojë një agjenci të veçantë sa u përket librit dhe leximit. Në vitin 2019, Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama ia ka vënë vetes për qëllim që të hapë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro–Furxhi, gjatë prezantimit të planifikimit buxhetor të Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 para anëtarëve të Komisionit parlamentar për edukim dhe kulturë. Ajo ka thënë se Ministria e Kulturës parashikon që për vitin 2019 të themelojë një institucion të ri kombëtar për t’u dhënë përparësi politikave në fushën e librit dhe edukimit.

“Do të krijojmë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila do të jetë një agjenci në nivel kombëtar për të ekzekutuar në territor të gjitha politikat dhe programet e Ministrisë së Kulturës, të cilat ne i kemi ngritur dhe tashmë kanë hyrë në vitin e tyre të katërt të zbatimit”, ka thënë ajo.

Një iniciativë e tillë ishte marrë edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë para dy vjetësh.