Kjo qenushe është sterilizuar, së paku kështu supozohet se ka ndodhur pasiqë bart numrin identifikues në vesh. Mirëpo qenushja e gjetur në Vushtrri përkundër faktit se ka kaluar në procedura sterilizimi,  ditë më parë ka lindur këlysh.
Qenushja me numër identifikues 930, është gjetur nga Selvete Manovi, aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, në gjendje të rëndë, shtatzanë, pak para se të lind këlyshët.

Se në çfarë gjendje e ka gjetur qenushen dhe ku, Selvetja ka rrëfyer për Gazetën Observer.

“Kam dal me një shoqe me kërku një tjetër qenushe me barrë. Kemi shku në Mulldeponie, aty e kemi pa qenushen në një qosh me bark që i prekte në tokë, ndërkohë mbante vathin identifikues që është e sterilizuar. E kemi marr qenushen dhe e kemi thirr një veteriner i cili e ka strehuar dhe pas dy ditëve i ka lind katër beba. Vendi ku e kemi gjetur ka qenë midis qytetit të Vushtrrisë, derisa afër këtij vendi, jo shumë larg gjenden edhe dy veterineri. Jo vetëm ky rast me këtë gjendje, por kemi dëgju se ka pasur edhe shumë raste të tjera, pra me vath dhe numër identifikues që nënkupton që janë sterilizuar, por ato kanë mbetur me barrë…”, tregon Selvetja për Gazetën Observer.

Manovi tregon se ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) si dhe Fondacionin që merret me të Drejtat e kafshëve, nga të cilat thotë se pret të marrin masat e duhura.

Ndërkohë Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve nëpërmjet një njoftimi publik në uebfaqen e tyre ka reaguar ashpër lidhur me këtë rast. Madje sipas tyre ky rast nuk do të kalojë në heshtje.

Reagimi i plotë:

Kjo qenushe (në foto), e cila ishte e raportuar si e sterelizuar nga Ambulatorja “Pharmacon Vet” në Vushtrri, me numer të vathit identifikues 930, këto ditë, nën vëzhgimin e njërës nga anetaret e organizatës tonë, ishte raportuar që kishte lindur këlyshit e saj. Si mund të ndodhte kjo, nëse qenushja ishte raportuar si e sterelizuar?

Organizata jonë, e ka nën kujdesje qenin dhe gjendet tek ne tani, por ky rast NUK DO TË MBYLLET KËSHTU. ⚠️ Rasti i mashtrimit apo punës tejet jo profesionale, është raportuar tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por asgje nuk është ndërmarrë nga ata deri më tani (të paktë nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje).

Sipas projektit shtetëror të vitit 2018 të kastrimit/sterelizimit dhe vaksinimit të qenve endacak, – projekt i cili ishte i menaxhuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – kishte për detyrë që të trajtonte qentë endacak, duke e bërë kastrimin, sterelizimin, vaksinimin dhe lëshimin e tyre sërish në rrugë. Kastrimi dhe sterelizimi parandalon shumimin e shumtë të qenve në rrugë, dhe pikërisht për këtë, një numër i madh i veterinerëve në Kosovë ishin të kontraktuar. Për Vushtrri, edhe Pharmacon Vet, me lider të ekipit, DVM Fevzi Gërxhaliun ishte i kontraktuar.

Për çdo qen që trajtohej, veterinerët e kontraktuar merrnin 75 euro. Siç duket, veterinerët e Pharmacon VET me liderin e tyre të ekipit, DVM Fevzi Gërxhaliu, – ose qëllimisht kanë mashtruar dhe kanë lëshuar qenushen e pa trajtuar ose kanë bërë një punë jo profesionale dhe me neglizhencë totale, saqë nuk e kuptojmë se si kjo ambulatore ende ushtron punën e veterinarisë me veterinerë të tillë.
Për dy variantat e punës siç ceken më lartë, duhet të vijnë pasojat ndëshkuese dhe largimi/terheqja e licencës veterinare, së veterinerëve të përfshirë në këtë rast.

Kontrolli/monitorimi i punës që bëhet në këto projekte, është dëtyrë e veterinarit si lider i ekipit dhe po ashtu i zyrtarëve të AUVK-ës. Nga AUVK, kërkojmë Nga Z. Nol Kabashi, si menaxher i atëhershëm i projektit, të na jep llogari mbi këtë lëshim tejet serioz.
Kerkojme nga Z. VALDET GJINOVCI, kryeshefi i AUVK-ës, reagim të shpejt.

Këtu, kemi dyshime të bazuara të keqpërdorimit të parave publike të qytetarëve të Kosovës dhe ky krim nuk është aspak për t’u injoruar.

Avokatët e organizatës tonë, janë duke shqyrtuar rastin e kësaj situate dhe patjetër që do të veprojmë shumë shpejt sipas legjislacioneve në fuqi për mbrojten e mirëqenies së kafshëve dhe mashtrimit me para publike.

 

Ambulantat veterinare në Vushtrri ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Gazeta Observer ka kontaktuar me Fevzi Gërxhaliun nga Ambulanta veterinare “Pharmacon Vet” (Pharmaconvet), kompani e kontraktuar për sterelizimin e qenve endacakë.

Ai mohon se ka të bëjë me këtë rast, duke e gjuajturv përgjegjësinë diku tjetër.

Në AUV mundeni mi marr këto informacione. Ambulatorja ‘Pharmacon Vet’ është në konzorcium me 5 ambulanta veterinare, pra në kuadër të konzerciumit janë. Ky rast ka dal prej ambulantës veterinare “Veterina’, pra jo prej ambulantës tem. Unë veç informatat i kam bart në AUV…”, tha shkurt Gërxhaliu për Gazetën Observer.

Ndërkohë Safet Osmani nga Ambulanta ‘Veterina’, ambulantë kjo që është në kuadër të konzorciumit, e kontraktuar për sterilizimin e qenve, rastin e tmerrshëm të mbetjes shtatzënë të qenushes kinse të sterilizuar e cilëson si gabim teknik.

“Nuk mund të jetë dështim kjo, por gabim teknik, nuk përjashtohet mundësia. Duhet të bëhet verifikimi i numrit sepse ka mujt mu ndërru numri, shumë lehtë mundet me ndodh kjo”, tha shkurt Osmani për Gazetën Observer.

Osmani, përkundër që me ambulantën e tij është pjesë e konsorciumit që sterilizon/ kastron qentë e pastrehë, lëshohet në deklarata  jologjike si kjo më poshtë”

Me qen endacak është problem mu marrë, sepse këta nuk janë qenë shtëpiakë”

Tutje Osmani thotë se duhet të bëhet verifikimi prej ekspertëve, duhet me kqyrë ngjyrën etj…”.

Përgjegjësit e AUV nuk kanë reaguar ende – arsyetohen se gjenden në pushim 

Lidhur me këtë rast, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Gazeta Observer ka kontaktuar me Lamir Thaçin, zëdhënësin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, por ai ka sugjeruar që të kontaktohet  Sadik Heta, drejtori i drejtorisë së Shëndetit dhe Mirqenies së kafshëve në AUV.

Gazeta Observer ka folur me Sadik Hetën, i cili ka theksuar se nuk ka arritur të reagojnë për shkak se gjendet në pushim.

“Kam dëgjuar për rastin, gjegjësisht jam njoftuar, por që nuk kemi arritur të reagojmë zyrtarisht apo të marrim masat e duhura për shkak se gjendem në pushim unë dhe menaxheri i kontratës. Pas të hënës do të kthehemi në punë dhe do të merremi me këtë çështje”, ka njoftuar Heta.

Por ky nuk është rasti i parë që kompanitë përgjegjëse për sterilizim/kastrim të qenve endacak nuk kryejnë punën me përgjegjësi.

Nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve është raportuar me dhjetra herë lidhur me mungesën e profesionalizmit dhe përgjegjësisë nga ana e kompanive që kanë fituar tenderet.

Dhe nuk është as rasti i parë që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk përgjigjet. Zakonisht përgjegjësit në këtë agjenci i mbyllin veshët në këso raste.

Ndryshe, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka kërkuar që të vinë pasojat ndëshkuese dhe largimi/terheqja e licencës veterinare, së veterinerëve të përfshirë në këtë rast./Gazeta Observer