Trajneri i Republikës Çeke, Jaroslav Silhavy thotë se gëzimi është jashtëzakonisht i madh në taborin çek pas fitores 2:1 ndaj Kosovës.

Ai ndihet mjaft i lumtur me kualifikimin e çekëve në Kampionat Evropian.Republika Çeke e mposhti mbrëmë Kosovën me përmbysje me rezultat 2:1 për ta siguruar njëherësh kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit, shkruan Gazeta Express.

Ky fakt e ka gëzuar tej mase trajnerin Jaroslav Silhavy, i cili këtë sukses e ka barazuar me titujt që i kishte fituar me ekipet Liberec dhe Slavia Praga.

Ai është edhe më krenar për faktin se lojtarët e tij ia dolën ta shkrinin epërsinë e Kosovës për të fituar në fund.

Trajneri çek beson se ekipi i tij do të jetë mjaft konkurrues në Euro 2020.“Nëse për shembull do të fitonim 3:0, atëherë gëzimi nuk do të ishte i njëjtë, nuk do të ishte aq i madh.

Ndërkohë, unë po mendoja se ne po e lëshonim këtë mundësi në shtëpi dhe se gjithçka do të vendosej në Bullgari.

Në fund, dëshira e madhe për të fituar vendosi, ne shënuam dy gola. Gëzimi dhe euforia është e madhe dhe po e shijoj këtë moment”, deklaroi Silhavy.

“Kualifikimi në Euro 2020 me ekipin kombëtar si trajner është diçka mjaft prestigjioze, por titujt që i pata fituar me ekipet që i kam drejtuar ishin suksese të mëdha po ashtu”, nënvizoi Silhavy.

Ai e ka pranuar se goli i avantazhit i Kosovës ka qenë momenti më i vështirë për të në këtë kampanjë kualifikuese.

Kosova ëndërroi edhe vetë përkohësisht, por më pas çekët u rikthyen furishëm në 20 minutat e fundit duke shënuar dy herë, me Alex Král e Ondřej Čelůstka.“Ndoshta ishte momenti më i keq në këto kualifikime. Kjo ndeshje konsiderohej si loja e vitit.

Jam i kënaqur dhe krenar që ishim në gjendje të riktheheshim dhe ta kishim epërsinë në anën tonë. Ekipi e shfaqi përsëri karakterin e tij. Bëmë presion, patëm raste dhe më pas erdhën edhe golat”, u shpreh tutje 48 vjeçari.

Çekia i fitoi të katër ndeshjet në shtëpi, përfshirë këtu edhe atë kundër Anglisë në muajin tetor, 2:1.“Në fillim të kualifikimeve e morëm një shuplakë (0:5 nga Anglia). Mirëpo, më pas ne i fituam të gjitha ndeshjet në shtëpi, që do të thotë se kjo ishte baza e suksesit tonë”, përfundoi Silhavy.