Shërbimi i sigurisë i Ukrainës njoftoi se ka konfiskuar një dërgesë të drogës nga Amerika Jugore me vlerë rreth 51 milionë dollarë.

Autoritetet policore thanë se zbuluan 257 kilogramë kokainë të fshehur në “kuti me banane” gjatë një inspektimi në një anije mallrash të Amerikës Jugore që u ankorua në portin e Detit të Zi të Odesë.

Deklarata nuk identifikoi saktësisht shtetin e origjinës së anijes.

“Një analizë e shpejtë identifikoi se bëhet fjalë për kokainë”, tha Shërbimi i sigurisë në një deklaratë më 21 mars.

“Pesha e përgjithshme e drogës është 257 kilogramë dhe kostoja e saj e vlerësuar në tregun e zi është më shumë se 51 milionë dollarë”, thuhet në deklaratë.

Droga ishte dedikuar për tregun evropian, thanë më tej autoritetet ukrainase duke shtuar se tashmë kanë hapur një hetim të shkallës së gjerë për kontrabandë me drogë.

Gjithashtu u njoftua se ka filluar një hetim për të identifikuar të dyshuarit e mundshëm për këtë rast.