Vasfije Krasniqi-Goodman, viktima e dhunës seksuale në Kosovë e cila së fundmi themeloi edhe organizatën “Drejtësi për të gjithë”, do të rrëfejë para Kongresit Amerikan për përvojën e saj të hidhur gjatë luftës.
Ajo do të flasë para Kongresit me ftesë të kongresistit amerikan, Eliot Engel më 30 prill e që do të mundësohet me iniciativë të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këtë e kanë konfirmuar edhe burime të Klan Kosovës brenda zyrës së Jahjagës.

Poashtu merret vesh se ish-udhëheqësja kosovare do të jetë folëse kryesore në Kongresin Amerikan kur Vasfija do të shpalos përjetimet e saja para ligjvënësve amerikanë.

Ajo gjatë promovimit të shoqatës “Drejtësi për të Gjithë” të martën ka thënë se negociatat me Serbinë nuk duhet të zhvillohen derisa kjo e fundit të marrë dënimin për krimet e kryera në Kosovë.

Në tetorin e vitit të shkuar, Vasfije Krasniqi-Goodman vendosi që tmerrin e përjetuar gjatë luftës ta ndajë me publikun e që ndodhi që për herë të parë të vie një rrëfim i hapur i njërës prej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.