Pasditen e së martës, derisa ishte duke punuar, Shefqet Fetahajt nga fshati Raushiq i komunës së Deҫanit i ndodhi një aksident i cili ishte fatal për të. Ai humbi dorën e djathtë, të cilën ia amputuan në QKUK ku edhe mbeti në gjendje kome. Ai humbi jetën si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore, ndërsa familjarët e tij po frikësohen se mjekët nuk bënë sa duhet për ta shpëtuar atë.

Për pesë vite kishte punuar në një kompani të betonit, por e marta e kësaj jave ishte ditë tragjike për Shefqetin. Derisa po kryente punën e tij, një nga makineritë ia këputi dorën e djathtë. Kolegët e tij e dërguan në spitalin e Pejës, nga ku u dërgua në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Në QKUK Shefqetin e operuan, por ai mbeti në gjendje kome. Gazeta Express të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e tij në fshatin Raushiq, ku familjarët e tij kanë thënë se i është amputuar dora e këputur.

Xhaxhai i tij Miftar Fetahaj ka thënë se Shefqeti pas operimit ka mbetur në gjendje kome, ndërsa po shpresonte se gjendja e tij do të përmirësohet.

Nga plagët e marra 42-vjeҫari humbi jetën, ndërsa familjarët po thonë se ai ka shkuar në QKUK me vetëdije të plotë, derisa xhaxhai i tij po hedh dyshimet se diҫka nuk ka shkuar mirë gjatë trajtimit të tij aty.

“Unë shumë po frikësohem se çka kanë bërë brenda mjekët se ai ka shku në spital i fortë. Shokët e tij e kanë ҫu për 20 minuta, me vetëdije ka shkuar, madje ka thënë mos e vozitni makinën shpejtë se mos po bëjmë aksident, shokët e tij e kanë lidhë me rripa mos me ju lëshu gjakderdhja”, ka thënë xhaxhai i të ndjerit.

Ndërkaq ai thotë se trupi i pajetë i Shefqetit është në Qendrën e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i bëhet obduksioni, derisa thekson se familja po e pret rezultatin për të kuptuar arsyen e vërtetë të vdekjes sepse për ta është e çuditshme se si erdhi kaq shpejtë deri tek vdekja.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Pejës është duke grumbulluar informatat dhe provat për të kuptuar nëse në vendin ku ka punuar 42-vjeҫari ka pasur parregullsi që kanë çuar deri te aksidenti fatal.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore e Pejës së bashku me Njësitet hetimor të policisë  është në fazën e grumbullimit të informatave dhe provave me veprimet e caktuara hetimore. Ky rast në prokurori do iniciohet me dyshimin se në veprimet e punëdhënësit a ekzistojnë elementet të veprës penale “ asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse  dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Trupi i pajetë i viktimës  me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi (obdukim)”, ka thënë për Express Shkodran Nikҫi, Zëdhënës për Informim nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Pas kryerjes së obduksionit, trupi i pajetë i Shefqetit do t’u dorëzohet familjarëve për të kryer procedurat e varrimit, ndërkaq i ndjeri ka lënë pas vetës gruan dhe dy fëmijë.