Qyteti im nuk meriton t’i thuren vargje.
Qyteti im ka vrasës burracak.
Qyteti im meriton epitafe aborti.

Në qytetin tim java ka një ditë:
të Dielën anemike,
të Dielën apatike.

Në qytetin tim bëjmë zhvendosjen
e kufijve të kotësisë njerëzore,
(nëse ekziston një i tillë!)
Në qytetin tim
momentet spontane janë si abortuset spontane,
sakrificë me hakmarrje akrepi.

Në qytetin tim njeriu për njeriun është vampir, kulçedër.

Qyteti im,
qytetar’ i yt,
ç’të të them kur nuk je as fëmija i padëshiruar?
Ç‘të të them kur steriliteti yt t’i ka kalbur rrënjët?
Dhe këtë pak dashuri që kam për ty,
ku të ta shpreh nuk kam:
mbi varret një mbi një,
përtej drujsh që zhduken si ëndërr,
në tavernat me kutërbim përsëritjeje,
Apo mbi rrugicat e plogështa shpirtrash të amputuar!
Po këto janë lotë qyteti im,
Lot kapriçjesh që shtërzojnë cistat e shpirtit.
Lot për dashurinë qe s’ma fale kurrë.

Qyteti im zoologjik,
Bardovca ka nevojë për ty,
Ka nevojë për 100 djemtë e tu më të mirë.

Qyteti im,
s’të s’kuqet ty as fytyra e as prapanica,
se i ke djemtë yje.
Yje pa arsye.

Qyteti im,
Dua të ta humb virgjërinë,
Të ta mbush mitrën me vrerin tim 25 vjechar.

Qyteti im,
rinia ime shterpë,
të pres ne rrëzë të barkushes sime, me thikë
Varrin e ke hapur.
Nën barkushen time
së bashku,
të ngrejm dolli vreri qyteti im,
me thikë.

Qyteti im,
fqiu im i përjetshëm,
palca ime e thatë
kur do të mbarsesh?