“Të gjithë e ndjejmë përgjegjësinë në kohën që jetojmë, ndërkaq prej neve do të varet e ardhmja e fëmijëve.

Askush tjetër për ne nuk mund ta marrë këtë vendim, por unë e di se populli ynë multietnik vendos drejt për çështje të mëdha”, tha kryeministri Zoran Zaev, përpara mijëra qytetarëve që sot marshuan në Shkup me moton “Për Maqedoni Evropiane”.
“Ëndërrojmë për vend i cili do të jenë krah për krah me të gjithë vendet moderne demokratike, ku do të ketë progres, fytyra të qeshura, zhvillimin ekonomik dhe shëndetësor.

Të gjithë ëndërrojmë 27 vjet dhe ja tani e kemi mundësinë historike që ta realizojmë ëndrrën tonë, të sigurojmë ardhmëri për fëmijët tanë, për gjeneratat pas nesh. NATO dhe BË na lidh të gjithëve, për atë e kemi këtë mundësi që ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të jemi krenar për suksesin”, tha Zaevi.


Kryeministri Zaev tha se do të sigurojmë ardhmëri për vendin, shkruan portalb.mk.

Ai tha se NATO dhe BE është rruga e vetme nëpërmjet së cilës duhet të lëvizë Maqedonia, për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Kemi dëgjuar se si kanë biseduar në këto 27 vitet, si ka pasur padrejtësi, kemi sjell vendim të guximshëm, ne sollëm vendim dhe nuk kalkuluam, pasi që para gjithçkaje dhe përpara politikave tona e vendosëm Maqedoninë. Kemi nënshkruar marrëveshje, e kemi zgjidhur kontestin, kemi fituar mik. Patjetër që të gjithë të dimë se Marrëveshja është korrekte dhe e drejtë nga të dyja palët, pra të dy shtetet njëjtë fitojnë”, tha Zaevi.

Përpara qytetarëve mbajti fjalim edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili i ftoi qytetarët që më 30 shtator të dalin në referendum dhe të votojnë “për”. Pos tij, fjalime kanë mbajtur edhe persona tjerë publik, të rinj dhe artistë. Marshi u mbajt pa simbole partiake.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.